Në datën 10 Gusht 2022, në prani të Kryeministrit Edi Rama dhe Zëvendës-Kryeministres Belinda Balluku, u nënshkrua Memorandumi i mirëkuptimit për zhvillimin e marinës turistike të Durrësit, mes Z. Mohamed Alabbar, Administrator dhe përfaqësues i “Eagle Hills Real Estate Development”, dhe Z. Erlis Hereni, Administrator dhe përfaqësues i “Albanian Seaports Development Company”, shoqëri aksionare në pronësi të Autoritetit Portual Durrës e krijuar për të siguruar mbarëvajtjen e zhvillimit të projektit.
Në 2020, Qeveria shqiptare miratoi një strategji ambicioze për transportin detar që përfshin një plan solid investimesh për të konsoliduar dhe përmirësuar infrastrukturën portuale në mbarë vendin. Strategjia jonë parashikon zhvendosjen e përpunimit të mallrave jashtë zonave urbane dhe rizhvillimin e portit të qytetit në një marinë luksoze për kroçerat dhe shërbimet turistike me standarde të larta. Faktikisht, me transformimin e portit aktual dhe ndërtimin e faciliteteve të reja në Porto Romano, po krijojmë një Autoritet Portual me dy porte. Kjo në përputhje me praktikat më të mira të zhvillimeve portuale në vende të Europës veriore dhe perëndimore.
“Ky bashkëpunim buron nga një miqësi e posacme mes princit Mohamed Bin Zayed dhe Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ky investim hap një perspektivë të re, sjell një niveli të ri të kuptimit të turizmit, një niveli të ri shërbimi, dhe në këtë aspekt porti turistik i Durrësit do të sjellë një kulturë të re për të gjithë bregdetin shqiptar.” Kryeministri Edi Rama
“I japim Shqipërisë një nga projektet më të fuqishme të zhvillimit ekonomik detar dhe turistik në Ballkan”, Zëvendës-Kryeministrja Belinda Balluku
“Ky projekt lidhet me faktin se cfarë jete duam të ndërtojmë për qytetarët; lidhet me krijimin e besimit në një vend, në një qytet. Eshtë privilegj që unë të vë në punë pasionin dhe dashurinë time për ndërtimin e kësaj jete të re në Shqipëri”, Mohamed Alabbar.